Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti duke e akuzuar se po e përdor dialogun për qëllime elektorale.
Lekaj vlerëson se kushtet e vendosura nga Kurti për takimin me presidentin serb Aleksandër Vuçiq janë legjitime, por jo serioze, duke argumentuar se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka zhvilluar takim me palën serbe në Bruksel vetëm dy ditë pas këtij incidenti.
“Kur Kurti nuk takoi Vuçiqin në Bruksel, takimi i Bislimit me palën serbe shpalosi mungesën e seriozitetit të kërkesave të Kurtit. Kjo është një hajgare tjetër që Kurti po e shfrytëzon dialogun për të fituar poena elektorale, duke i bërë qytetarëve të Kosovës. Bislimi nuk duhej të takonte palën serbe pa plotësuar kushtet e vendosura,” deklaroi Lekaj në emisionin “FIVE” të Dukagjinit.
Ai gjithashtu shtoi se kjo sjellje e Kurtit dëmton seriozitetin dhe nuk është në përputhje me rolin e tij si kryeministër i vendit.