Gjykata Speciale ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emmerson për tërheqjen nga mbrojtja e Kadri Veselit.
Ky vendim është marrë me dakordësinë e të dy palëve dhe nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor.
Vendimi do të hyjë në fuqi pasi të emërohet një avokat i ri kryesor, për të cilin Gjykata ka kërkuar nga administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës të ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar vazhdimësinë e përfaqësimit të Veselit.
Rodney Dixon, një avokat me përvojë të gjerë ndërkombëtare në të drejtën publike dhe penale, është caktuar si kryembrojtësi i ri për Kadri Veselin.
Dixon ka përfaqësuar qeveri dhe individë në raste të ndërlikuara globale, përfshirë Qeverinë e Afganistanit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe viktimat ujgure në rastet e gjenocidit të supozuar nga autoritetet kineze.
Ai gjithashtu ka qenë i angazhuar në përfaqësimin e Al Jazeera-s në rastin e vrasjes së gazetares Shireen Abu Akleh.
Gjykata ka siguruar se ndryshimi në ekipin mbrojtës të Veselit do të ndodhë pa ndikuar në përparimin e procesit gjyqësor, që është në faza kritike.