Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në komunikatën për media thuhet se gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe për bashkëpunimin.
“Kryeministri falënderoi ambasadorin Hargreaves për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganën e Kosovës me pajisje teknike për luftimin e kontrabandës, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila po trajnon ushtarët e Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të operacionit Interflex dhe ka kryer misione të bashkë-zbarkimit me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në komunikatë.
Përgjatë takimit, Kurti ka folur edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmin UK Export Finance.
“Ai gjithashtu veçoi faktin se tash Kosova është pjesë e mekanizmit UK Export Finance, që ofron më shumë mundësi për investime nga investitorët e Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet tutje në komunikatë.