Më 10 dhjetor 2024, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte këshilluar Qeverinë e Kosovës që të mos akuzojë askënd deri në përfundimin e hetimeve në rastin e sulmit terrorist në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc, meqë në vlerësimin e tij kështu do të kishte “mbështetjen e të gjithëve” që autorët të mbahen përgjegjës.
“Këshilla jonë vazhdon të jetë që të prisni derisa të mbarojnë hetimet dhe të keni rezultate të besueshme, përpara se të ngarkoni dikë me përgjegjësi”, tha ai në një intervistë për ATV.
Më 24 dhjetor 2024, në shpërfillje totale veproi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një konferencë për media njoftoi se prapa urdhrit për sulmin me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit qëndron kryeterroristi, Milan Radojiçiç.
Duke u thirrur në informacionet inteligjente që i posedojnë institucionet e sigurisë, pa prezantuar asnjë dokument ose fakt, Kurti konstatoi se përgjegjësi për planifikimin, financimin dhe logjistikën e sulmit ka edhe shteti i Serbisë.
Konferenca e jashtëzakonshme e Kurtit u mbajt një ditë pasi ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Christopher Hill tha se SHBA-të “nuk shohin asnjë provë që do të çonte në Beograd”.
“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.
Megjithëkëtë, Kurti njoftoi opinionin publik se autoritetet kosovare posedojnë disa mesazhe të koduara, të cilat po hetohen.
Ai gjatë konferencës foli për dy rrafshe të përgjegjësisë: Mbrojtja Civile – organizatë e shpallur si terroriste nga ana e Qeverisë së Kosovës – dhe profesionistë që kryen aktin.
Mbrojtja Civile, tha Kurti, ka kryer mbështetjen logjistike në terren, ndërsa persona nga shërbimet serbe e kanë kryer sulmin me eksploziv.
“Deri më tani janë evidentuar komunikime të koduara në mes të Mbrojtjes Civile që lidhen me rastin, të dhënat po trajtohen nga organet tona”, shtoi ai, transmeton albanianpost.
Ndër të tjera, Kurti, potencoi se Radojiçiç për dallim nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjë të Komunës së Zveçanit, për sulmin terrorist në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc “ka ndërmarrë veprime të caktuara duke tentuar shfajësimin e vetes”.
“Paraprakisht ka ndërtuar alibinë duke caktuar një takim me anëtarët e Listës Serbe në ditën e sulmit, konkretisht nga 17:00 deri në ora 19:00, pra dy orë para sulmit në kanalin Ibër-Lepenc”, shtoi ai.
Pas sulmit, siç njoftoi Kurti, Radojiçiç ka realizuar telefonata e takime.
“Në bashkëpunim me strukturat e larta të shtetit të Serbisë ka ndërmarrë veprime të ndryshme fabrikuese me synim fshehjen e përgjegjësisë së tij, përkatësisht Serbisë”, pohoi ai.
Sipas Kurtit, Radojiçiç tek rrethi i afërt i tij “ka shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatet e sulmit”.
“Pritjet e tij kanë qenë që kanali të dëmtohet tërësisht dhe pakthyeshëm”.
Se për rastin në fjalë ende s’ka prova për të vërtetuar identitetin e autorëve, e tha edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, edicioni në gjuhën serbe, potencoi se sulmi terrorist në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc aktualisht është ende në fazën e hetimit.
Andaj në vlerësimin e tij si Kosova ashtu edhe Serbia nuk kanë nevojë të artikulojnë akuza të ndërsjellëta ndaj njëra tjetrës për këtë çështje.
“Deri tani kemi pasur deklarata të qarta, por nuk kemi diçka që të provojë se kush janë autorët e këtij akti. Prandaj, duhet të lejojmë që hetimi të vazhdojë pa ndërhyrje”, ka thënë ai.
Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, deklaratat e fundit të Kurtit në konferencën për media, i ka cilësuar si “përpjeke për të larguar vëmendjen nga veprimet jodemokratike të qeverisë së tij”, duke iu referuar moscertifikimit të Listës Serbe nga Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Lëvizje të tilla janë një fyerje për demokracinë dhe një kërcënim i qartë për stabilitetin rajonal”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.
Ai ndër të tjera potencoi se Serbia “nuk do të merret me provokimet teatrale të Kurtit”, të bëra, sipas pretendimeve të tij, në kohë fushate.
Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.
Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për orkestrimin e këtij akti, i cili vlerësohet të jetë sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga përfundimi i luftës, krahas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit, në Veri të vendit, i cili ka cenuar paqen e brishtë në Ballkanin Perëndimor.
Serbia, nga ana tjetër, ka mohuar të ketë gisht në të dy rastet, duke theksuar se akuzat për pjesëmarrje në këto sulme janë të pabaza, ndonëse autoritetet kosovare kanë insistuar se kanë prova të mjaftueshme që implikojnë shtetin serb në sulmet e fundit.