Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 16-të të Festivalit “PriFest”.
Kryeministri tha se ishte nder i madh që ishte pjesëmarrës në këtë ngjarje të jashtëzakonshme kulturore, duke cilësuar se “PriFest” është bërë një ndër zhvillimet më të rëndësishme të kulturës në Kosovën e pasluftës dhe se ky sukses është fryt i përkushtimit dhe i vizionit të atyre që e organizojnë, por edhe neve që marrim pjesë.
E në këtë natë të veçantë të këtij festivali, ai tha se duhet ta kujtojmë e përkujtojmë kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e artistes e regjisores së madhe Vjosa Berisha.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti përmendi mbështetjen e qeverisë për të ndihmuar institucionet kulturore, duke theksuar se mbështetja për filmin sot në Kosovë është më e madhe se kurrë.
“Mbështetja për filmin sot në Kosovë është më e madhe se kurrë. Kemi realizuar reformën më të madhe legjislative në kulturë; kemi finalizuar marrëveshjen ndërministrore për bashkëprodhime kinematografike me Francën dhe me Izraelin, jemi në prag të nënshkrimit me Bullgarinë, e në konsultime me Zvicrën dhe Austrinë”, tha Kurti
Po ashtu, kryeministri tha se mbështetja nga Ministria e Kulturës për skenën e pavarur është shumëfish dukshëm më lartë sesa më herët gjatë këtyre tre viteve të fundit.
“Sivjet, nga Qendra Kinematografike e Kosovës janë përkrahur plot 35 projekte filmike në shumën e gjithmbarshme prej 1.4 milionë euro. Mbështetja nga Ministria e Kulturës për skenën e pavarur është shumëfish dukshëm më e lartë sesa më herët gjatë këtyre tri viteve të fundit. E këtë vit, në mesin e organizatave që për herë të parë gëzojnë mbështetje trevjeçare, janë tre festivale të filmit që tashmë janë etabluar si institucione në vete. Kjo rikonfirmon angazhimin e qeverisë për t’i qëndruar afër skenës së pavarur kulturore, aty ku ziejnë, kultivohen dhe ngritën talentet dhe të cilën ne e shohim si partnere të zhvillimit të mëtutjeshëm cilësor të artit në përpjekjen e përhershme për ta bërë artin kulturë dhe kulturën sa më artistike”, shtori Kurti. /TelegramNews/