Deklaratat e Albin Kurtit se në Washington ka ndodhur një “marrëveshje e thikave mbi hartën e Kosovës”, tani po del si bazament i mirë për të vazhduar punën me Amerikën aty ku e la Trump më 4 shtator 2020 kur kishte mbledhur në Zyrën Ovale ish-kryeministrin e Kosovës Avdullah Hotin dhe ish-kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiqi.
Takimi i Washingtonit kishte përfunduar me një marrëveshje të fuqishme bilaterale në mes të dy shteteve, mbështetur me ndihma dhe investime të fuqishme për Kosovën e Serbinë. Në të njëjtën ditë ka ardhur edhe njohja e fundit për shtetin e Kosovës nga Izraeli, njohje kjo që nga ajo kohë e deri më sot është e fundit, edhe pas kalimit të mandatit katër vjeçar të qeverisjes Kurti.
Në atë kohë Albin Kurti e kishte kundërshtuar ashpër këtë marrëveshje, duke e cilësuar atë si një marrëveshje shumë të keqe, e duke e vlerësuar takimin si përpjekje për ta ndarë e copëtuar Republikën e Kosovës. Secili nga ne e mbanë mend kur Kurti refuzoj udhëtimin për SHBA, sepse siç pohonte ai: “nuk shkoj në Washington, sepse atje do të hipet me thika mbi hartën e Kosovës, duke e copëtuar atë”.
Në këtë diskutim ishte inkuadruar edhe nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca, duke u shprehur se marrëveshja e arritur në Washington është më e keqja dhe më e dëmshmja që nga ajo e vitit 2015, siç është e njohur marrëveshja e Isa Mustafës.
Glauk Konjufca atëherë kishte thënë:
“Marrëveshja Trump-Vuçiq-Hoti, është marrëveshja më e keqja e më e dëmshmja që kemi që nga viti 2015”. Konjufca vazhdon duke konstatuar se “në tavolinë janë vu në negociata pasuritë dhe resurset natyrore të Kosovës”. Ai vazhdon më tutje duke akuzuar Trumpin dhe Hotin se si “ata po rrezikojnë t’i dhurojnë liqenin e Ujmanit Serbisë, si resursi më i rëndësishëm ujor ku 70% e ujit për pije e ekonomi është i koncentruar në këtë basen ujor të Kosovës”.
Tani shtrohet pyetja pse i ra pishman kryeministri Kurti i cili për një gazetë spanjolle “El Mundo”, ka mbajtur qëndrim krejt tjetër në krahasim me atë të 4 shtatorit të vitit 2020.
Çka i tha gazetës spanjolle Albin Kurti
“Marrëveshja e Washingtonit, për Kosovën paraqet një marrëveshje të mirë bilaterale”. Kështu e cilësoi tash Marrëveshjen e Washingtonit Kurti.
Analisti Selatin Retkoceri për gazetën Telegram News, u shpreh se Gjatë mandatit të Trump, u prioritizuan marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të promovuar stabilitetin, ndërsa administrata Biden ka forcuar institucionet demokratike në Ballkan.
Zbythja, tërheqja, transformimi, ndryshimi i qëndrimit nga Kurti ka ardhur tani kur në Shtëpinë e Bardhë është Donald Trump që në atë kohë e kishte imponuar marrëveshjen që ishte shumë dobiprurëse për Kosovën, duke marrë edhe njërën prej njohjeve kualitative nga Izraeli.
“Kosova mban një marrëveshje të fortë bilaterale me SHBA-të, marrëveshje kjo e bazuar në përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj sovranitetit tonë dhe integrimit në BE dhe NATO. Gjatë mandatit të Trump, u prioritizuan marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të promovuar stabilitetin, ndërsa administrata Biden ka forcuar institucionet demokratike në Ballkan”. Kurti vazhdon tutje duke konstatuar: “Megjithëse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj se SHBA-të, do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, sepse ne do të punojmë ngushtë me Washingtonin”
Më në fund e paska kuptuar Kurti se pa Amerikën, ekzistenca e Kosovës mund të vihet në pikëpyetje. Shpresojmë që kryeministri të jetë serioz kësaj radhe dhe të mos mendoj se mund të vazhdoj të luaj “bixhoz” me fatin e shtetit dhe të ardhmen tonë euroatlantike që pa Amerikën nuk do të mund të ndodhë kurrë dhe asnjëherë.
Shpresojmë se kjo zbythje e fundit e shokut Kurti të jetë serioze e jo mashtrim si ishin ato në kohën e Biden, sepse Trump nuk duron veprimet naive e të papjekura që në vazhdimësi i ka bërë shoku Albin Kurti. /Telegram News