Në prag të fillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po e përdor kartën e vjetër se dikush tjetër është fajtor për dështimet e Qeverisë së tij gjatë një mandati qeverisës katër vjeçar.
Në të gjitha rrjetet sociale është aktivizuar një armatë e tërë ofenduesish dhe akuzuesish të Vetëvendosjes të cilët tezat e paraqitura dhe argumentet e nxjerra nga hulumtimet shkencore të dështimeve qeveritare që i paraqesin profesionistët e fushave apo mediet, i mbulojnë me akuza dhe ofendime ndaj të gjithë autorëve që paraqesin mendime objektive rreth dështimeve katër vjeçare.
Albin Kurti, së fundmi faturën e dështimeve të veta e ka adresuar te BE-ja duke thënë se “Kosova po pëson për shkak të disa dinamikave të brendshme të BE-së”, që u tha në fundjavën që lamë pas.
Profesori univeristar dhe analisti Milazim Krasniqi e ka identifikuar Albin Kurtin si fajtorin kryesor të dështimit të Kosovës duke ju drejtuar direkt Kryeministrit me reagimin:
“Kosova po e pëson për shkak tëndin. Ti ke mujtë mos me e shti vendin në “dinamikat e brendshme të BE-së.” Qysh ka thënë ai tipi: “Me hi hihet, … me dalë nuk dilet.” Qit pjesën e dytë të përgjigjes ti nuk ke dashtë me e ndëgjue. Prandaj tash janë problem “dinamikat e brendshme në BE.” Ti nuk mund ta nxjerrësh Kosovën nga ato masa. Ato janë vendos shkaku yt”, ka thënë Krasniqi, duke u ndalur edhe te një problem tjetër që po ashtu lidhet me dështimet qeverisëse gjatë mandatit katër vjeçar, i cili çon te një pikë referente ku Kurti nuk gjen as altrerantiva për bashkëpunim me subjektet tjera politike për çka Kurti ka thënë:
“S’ka koalicion me asnjë parti pas zgjedhjeve, na sulmuan shumë, sidomos muajve të fundit…”, ka thënë Kurti problem që ka marrë përgjigje nga Milazim Krasniqi se Kurti duket i pashpresë pasi ai do të jetë humbës.
“E sigurt është se nuk ka koalicion, mbasi e sigurt është që shkoni në opozitë”, ka deklaruar analisti Milazim Krasniqi.
Eksperti kushtetues dhe profesori e analisti Blerim Burjani, gjithashtu ka thënë për telegram News se Kryeministri Albin Kurti, është problem të jetë në krye të qeverisjes, pa bashkëpunuar me partitë tjera politike.
“Nuk është e mjaftueshme të thuhet se kam shtrirë sovranitetin në veri të vendit duke i arrestuar disa banda e grupe dhe pse ka hapur disa dyçane atje apo pse ka gjetur disa forma të bashkëpunimit atje. Kësaj here do të jetë vështirë për Vetëvendosjes që të merr atë që ka synuar dhe që synon ta merr dhe për ta marr 50% më nuk ka gjasa fare, por nëse nuk e merr ketë kuotë, duke marrë për shembull 30 apo 40%, ai si subjekti i parë përsëri duhet të bashkëpunojë me dikend. Tek ne janë dy segmente esenciale të cilat i voton populli:
Programi dhe lideri, e te ne akoma më shumë votohet lideri. Pra, në vend se të ishte programi, tek ne zë vendin e parë lideri, e këtu tash s’ka program Vetëvendosja, por edhe lideri i tyre nuk i ka punët mirë”, ka deklaruar Burjani.
Kurti po synon ta paraqet sukses të vetin përfundimin e mandatit katër vjeçar që është hera e parë që një mandatar qeverie e çon deri në fund, përkundër përfshirjes gati të gjithë kabinetit qeveritar në afera korruptive, disa prej të cilave janë në proces hetimi./Telegram News