Ndryshimet në ligjin e ri për KPM-në, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro, po shihen si të gabuara dhe nuk janë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës.
Profesorët universitarë e Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) bëjnë thirrje që të merren parasysh rekomandimet e KiE-së, pasi 80 për qind e rekomandimeve nuk janë marrë parasysh nga Qeveria në pushtet.
Sipas AGK-së, Qeveria Kurti qëllimshëm po injoron standardet e Këshillit të Evropës, me mundësinë që në të ardhmen të krijohet një hapësirë e ndërhyrjes politike gjë që e cenon lirinë e medias, një nga standardet themelore të Bashkimit Evropian.
Kryeredaktori në ATV, Leart Hoxha ka thënë se nëse nuk përfillen rekomandimet e KiE-së, atëherë do të miratohet diçka që herët apo vonë do të dëshmohet si e dëmshme për punën e mediave.
Ai thotë duhet të gjendet metoda si KPM të bëjë monitorimin e mediave, por sipas tij, për këtë nevojiten shumë njerëz, pajisje, para dhe kohë.
“E mira e Kosovës është që KPM-në nuk e kanë agjenci të pavarur dosido çfarë janë 40 tjera, është kategori kushtetuese, edhe si e tillë duhet partitë politike edhe institucionet të kenë shumë kujdes kur e ndryshojnë ligjin… është dashur të merren parasysh rekomandimet e Këshillit të Evropës. 1:53 Nëse nuk përfillen rekomandimet e KiE-së, jemi duke miratuar diçka që herët a vonë do të dëshmohet që është e dëmshme. 3:39 As ligji e as politika nuk munden në Kosovë ta mbyllin fjalën e lirë, se këtë punë jemi duke e treguar që më shumë se 30 vjet, dhe jo kjo klasë politike, por disa klasa politike shumë më të fuqishme e shumë më represive nuk kanë qenë në gjendje ta mbyllin median dhe fjalën e lirë. 5:57 Nëse insiston politika që çdo video të monitorohet nga KPM-ja, atëherë duhet të gjendet metoda si KPM-ja të bëjë monitorim edhe të portaleve, mirëpo KPM-së i duhen shumë njerëz, pajisje, shumë pare dhe shumë kohë”, ka thënë Hoxha.
Profesori universitar Arben Fetoshi është shprehur se ndërhyrje eventuale e politikës në punën e medias, do të ishte cenimi më i rëndë për demokracinë dhe lirinë e shprehjes në vendin tonë.
“Ajo që ka të bëjë me opinionin ligjorë të Këshillit të Evropës dhe shqetësimet e ngritura nga BE lidhen me tendenca, mundësitë që në të ardhmen me ndryshime ligjore të krijohet një hapësirë e ndërhyrjes politike në veprimtarinë e medias, gjë që e cenon lirinë e medias, që është një nga standardet themelore të BE-së…2:48 Sa i përket krijimit të hapësirave që politika të ndërhynë në punën e medias, gjë që do të ishte cenimi më i rëndë për demokracinë dhe për lirinë e shprehjes në vendin tonë, mbi këtë bazë natyrisht çdo përpjekje e rregullimit ligjorë duhet të ketë parasysh parimin themelorë të lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes”, tha Fetoshi.
Gjithashtu, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha vazhdon t’i bëjë thirrje Qeverisë që ligji të mos miratohet në lexim të dytë në Kuvend, pasi që i njëjti ka shumë mangësi.
“AGK, e ka bërë të qartë, bashkë me të tjerët akterë të interesuar gjatë përcjellës së diskutimeve në komisione të ndryshme që ligji për KPM-në ka shumë mangësi dhe si i tillë nuk duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratimin e dytë. Fatkeqësisht, nga një analizë që ka bërë forumi për integritetin e informacionit në kuadër të NDA më shumë se 80 për qind e rekomandimeve të KiE, nuk janë marrë parasysh nga ana e partisë në pushtet Vetëvendosje dhe kjo është për keqardhje e të gjithë ato vërejtje, të cilat janë reflektuar në raport të KiE-s nuk janë marrë parasysh. Vazhdojmë të bëjmë thirrje Qeverisë që të mos vazhdojë për ta dërguar në kuvend këtë ligj. 00:57 Shumë pika të tij nuk janë me standardet e KiE-së, por Qeveria qëllimshëm e ka injoruar këtë”, ka theksuar Rexha.
Ky projektligj, i dorëzuar më 27 dhjetor 2023, parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio e video materiale. Projektligji ka kaluar në lexim të parë në Kuvend më 7 mars.
Legjislacioni parasheh që mediat online që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.
Aktualisht tekstet në mediat online monitorohen nga KPM-ja, por nuk gjobit mediat për gabimet e tyre dhe merr vendime vetëm për ankesat ndaj mediave dhe më pas vendimet e KPM-së mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave në gjykata.