Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pasi ky i fundit deklaroi se disa media në Kosovë paguhen nga “regjimi i vjetër”.
Çitaku tha se në vend që Kurti të angazhohet për t’i sjellur Kosovës ndonjë njohje apo investim, ai ka shkuar në New York për të marrë pjesë në një takim të Internacionales Socialiste, dhe aty ka zgjedhur që të sulmojë mediat dhe “regjimin e vjetër”.
Sipas saj, një qasje e tillë është jo etike, jo patriotike, e papërgjegjëshme dhe neveritëse, shkruan TelegramNews.
“Në mungesë të sukseseve në qeverisje, gjuha e Kryeministrit është reduktuar në akuza, sharje e shpifje për këdo që nuk mendon si ai. Polarizimi, popullizmi dhe armiqësimi janë mjetet e vetëme të punës që e njeh kjo kastë qeverisëse”, tha ajo.
Ndryshe, edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënoi ashpër sulmin e fundit ndaj mediave të bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
AGK-ja e sheh me shumë shqetësim një përpjekje të tillë të papranueshme për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë pa asnjë fakt dhe argument, duke hedhur akuza drejt mediave se “paguhen nga regjimet e kaluara” për kinse prodhimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave lidhur me Byronë për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme./TelegramNews./