Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini shprehet i bindur se në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje do të bie nga pushteti.
Derisa kritikon qeverinë aktuale për udhëheqje të dobët, ai ka thënë se Komunës së Gjakovës i ka munguar përkrahja e nivelit qendror. Përveç kësaj, i pari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini thekson se Qeveria ka dështuar në realizmin e disa projekteve në disa komuna ku ata qeverisin, siç thotë ai për shkak të mosdijes.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, flet për kandidaturën e tij si deputet dhe projektet më të mëdha që janë realizuar gjatë vitit 2024 dhe ato që planifikohen të kryhen brenda vitit 2025.
Qeveria Kurti diku nuk ka ditur të shtrojë rrugë e diku nuk ka dashur
“Unë jam i bindur që qeveria do të ndryshojë, nuk do të jetë qeveria e njëjtë. Qytetarët e Kosovës, secili prej tyre, edhe ata që me bindje të plotë e kanë votuar Vetëvendosjen në vitin 2021, e kanë të qartë se diçka nuk është në rregull me Qeverinë Kurti. Edhe fanatikët më të mëdhenj të Vetëvendosjes sot e dinë që diçka nuk është në rregull.Veç me ia humbë Kosovës katër vjet është dështim kolosal. Arritjet e Kosovës për këto katër vjet janë zero. Nëse një vend për katër vite dështon në të gjitha aspektet, mund të ketë inercion”, thotë Gjini.
Gjini potencon se Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të investojë në Gjakovë.
Duke krahasuar realizimin e projekteve rrugore të investimeve të mëdha në kompetenca të Qeverisë, në raport me komunat Gjini ka thënë se “komunat cilado që është, nuk mund të kryejnë projekte tepër të mëdha sikur që e kemi për shembull rrugën Gjakovë-Klinë ose Gjakovë-Dollc. Është projekt qeveritar, komunat nuk mund t’i kryejnë ato projekte. Duhet t’i kryejë qeveria. Qeveria e Kosovës ka pasur mundësi të bëjë më shumë në të gjitha komunat, jo vetëm në Gjakovë…Është bërë shumë pak për komuna. Ta krijojnë ndjenjën se duhet t’i lusim shumë, e më iu thanë 100 herë faleminderit që e bëjnë një projekt për qytetarët tonë. Janë dy situata këtu. Në disa komuna nuk kanë dashur, në disa komuna nuk kanë ditur. Për shembull nuk kanë ditur ta bëjnë autostradën e Gjilanit. Nuk kanë ditur ta bëjnë stadiumin e Gjilanit. Kanë dashur por s’kanë ditur. E në Gjakovë nuk kanë dashur”, potencon Gjini.
Duke folur për garën si deputet Gjini tregon se do të hyjë në garë për deputet për të mobilizuar masën, porse mandatin do ta dorëzojë. Ai thotë se do të rikandidojë për kryetar të Gjakovës, për çka shprehet i bindur se për të dyja pozitat do të marrë votat e mjaftueshme.
Kandidimin për deputet Gjini e sheh si mundësi për ta aktivizuar elektoratin dhe për t’i ndihmuar AAK-së por kur të ndodh fitorja, Gjini thotë se mandatit do t’ia dorëzojë opozitës, e ndër të tjera, Gjini thotë se Komuna e Gjakovës brenda vitit 2024 ka realizuar projektin më të madh në vlerë prej 8 milionë euro, atë të rrugës për daljen në Deçan dhe Pejë.
Sipas Gjinit, projekte të tilla nuk ka mundur t’i kryejë Qeveria e Kosovës brenda katër vjetëve./Telegram News