Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka pritur sot në takim përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se temë diskutimi kanë qenë zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë.
“Bashkë me Bedriun dhe Vlorën, në selinë e PDK-së, e pritëm Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë. Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të jap kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas të parit të PDK-së bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar është tejet i rëndësishëm.
“Për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm. Në këtë drejtim, PDK mbështetë të gjitha nismat e mirëfillta të cilat rrisin dhe fuqizojnë bashkëpunimin konstruktiv rajonal – si hap konkret drejt përafrimit të rajonit me Bashkimin Evropian”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.