Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se raketat amerikane “Javelin”, pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohësh.
Ai shton se vendi ka ekzekutuar të gjitha pagesat në bazë të planit të paraparë dhe se sistemi “Javelin”, do të jetë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë, por nuk specifikoi një datë për shkak, siç tha të konfidencialitetit që ka procesi. Mirëpo, Maqedonci thekson se Kosova tashmë zotëron sistemin e raketave turke “OMTAS”, që është i ngjashëm me atë “Javelin”.
“Ne jemi në proces të blerjes së Javelin, kemi ekzekutuar pagesat sipas planit të pagesave që kemi. Jemi në proces të prokurimit dhe është çështje tash kohësh dhe koordinimi kur do të vijnë Javelin këtu. Por ne kemi bërë prokurime edhe më herët të sistemeve të ngjashme si Javelin, kryesisht me Turqinë por edhe vende të tjera. Tashmë kemi në inventarin e FSK-së, sistemin Omtas që është i përafërt me sistemin Javelin, ka të njëjtën mënyrë. Sistemi Javelin do të jenë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë. Nuk mund të jap kohë të caktuar edhe për shkak të konfecidalitetit që ka ky proces”, thekson Maqedonci për KosovaPress.