Në Evropë, Kosova ka pagën më të vogël minimale, ndërsa Luksemburgu i prin listës si shteti me pagën më të madhe minimale.
Në mesin e vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për pagën minimale.
Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto ose 250 euro neto, por ende nuk ka hyrë në fuqi. Tash po kërkohet që paga minimale të bëhet 450 euro.
Kosova edhe vitin 2024 e ka nis me pagën minimale më të ultë në Evropë.
Vlera e pagës minimale nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se paga minimale duhet të rritet në 450 euro, derisa ka listuar pesë çështje të cilat sipas tij, duhet të adresohen me urgjencë gjatë këtij viti.
“Viti që lamë pas mos të na i marrë me vete temat që kërkojnë trajtim urgjent. Në të kundërtën, kjo qeveri po mbetet institucioni ku mund të gjesh të gërshetuara të gjithë koleksionin e gënjeshtrave. Nuk duhet lejuar që viti 2024 të jetë vazhdimësi e një qeverisjeje të dështuar, me skandale të panumërta dhe pa vizion për zhvillim”.
Ai ka përmendur arsimin, rritjen e pagave në administratën shtetërore, uljen e çmimit të energjisë elektrike, rritjen e pagës minimale në 450 euro dhe mbështetjen për sektorin privat.
“Si grup parlamentar do të adresojmë tri çështje: Të ndalet synimi për të ngulfatur përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit; Përmirësimi i kushteve infrastrukturore të arsimit të lartë dhe, Rritja e mbështetjes për hulumtime shkencore për Universitetet publike. Rritja e Pagave në Administratën e Shtetit”.
Tahiri tutje ka thënë se për tri vite rresht, kjo Qeveri katër herë e ka pasur Ligjin e Pagave në agjendën legjislative.
“Edhe atëherë kur e kanë miratuar këtë ligj, një numër të caktuar të kategorive ka zvogëluar pagën, te një numër i madh e ka rritur 10-20 euro. Grupi parlamentar i AAK-së do të iniciojë rritjen e pagave përmes koeficientit në Ligjin e Pagave dhe ngritjen vlerës së koeficienitit përmes Ligjit për Buxhet. Të gjitha çmimet kanë shënuar rritje, përveç pagave. E, rritje e papërballueshme e çmimit për qytetarët u shtua edhe ajo e rrymës. Grupi Parlamentar i AAK-së do të nis iniciativë në Kuvendin e Kosovës për uljen e çmimit të energjisë elektrike”.
Sipas ligjit, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social. Por, në mungesë të një propozimi nga ky Këshill, ministri për Financa mund të parashtrojë një propozim për pagën minimale për Qeverinë.
Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale. Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat.
Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh në Kosovë, me rreth 300 mijë të punësuar. Paga mesatare në këtë sektor, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2022 ka qenë 473 euro.
Të dhënat e publikuara nga ASK-ja në fund të shtatorit treguan se pjesa më e madhe e buxhetit familjar në Kosovë u nda për blerjen e artikujve ushqimorë.