Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha të premten se nuk do t’i konfirmojë raportimet e mediave për dislokimin e mijëra trupave të vendit për ta ndihmuar luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ky deklarim erdhi pasi i dërguari i Penjanit në Kombe të Bashkuara i hodhi poshtë pretendimet, raporton agjencia “Reuters”.
Nëse Koreja e Veriut ka bërë hapa të tillë, kjo do të ishte në vijë me normat ndërkombëtare, pavarësisht nga përpjekjet e mundshme nga të tjerët për ta paraqitur veprimin si të paligjshëm, tha zëvendësministri i Jashtëm, Kim Jong Gyu, në një deklaratë të publikuar në agjencinë shtetërore të lajmeve, KNCA.
Deklarata erdhi pasi presidenti rus, Vladimir Putin, refuzoi që t’i mohonte raportimet, të cilat kanë ardhur nga autoritetet në Ukrainë, Kore të Jugut, ShBA e vende të tjera.
Më herët, ministri i Mbrojtjes i Holandës, Ruben Brekelmans, tha se inteligjenca holandeze ka konfirmuar se Rusia ka zhvendosur të paktën 1.500 trupa të Koresë së Veriut për të luftuar në luftën e Ukrainës.
“Ne presim që trupat do të vendosen kryesisht në Kursk dhe do të përbëhen kryesisht nga njësite speciale nga ushtria e Koresë së Veriut” – tha ministri holandez, duke shtuar se dislokimi i parë është mënyrë për Rusinë që t’i testojë trupat dhe ta matë reagimin ndërkombëtar.