Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli në emisionin “Kampionët” në Tv Klan, për të ardhmen e trajnerit Silvinjo.
Duka deklaroi se kontrata me tekniku brazilian ka përfunduar, ndërsa theksoi se i është ofruar rinovimi që në muajin janar.
Sipas tij, gjasat që të rinovojë janë mbi 50% dhe zbuloi se gjithçka do të mbyllet para finales së Europianit.
“Kontrata me trajnerin ka mbaruar pas Europianit. Ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Besoj se tani së shpejti do e finalizojmë.
Ne kemi pasur biseda. Secili njeri mendon për veten e tij. Nëse i vjen një shifër marramendëse, edhe mund të shkojë. Kontrata është e përfunduar kur e firmos në letër. Gjasat që të rinovojë, sigurisht që është mbi 50%. Ne bëjmë aq sa mundemi për ta mbajtur, nuk mund të bëjmë më shumë se kaq.
Në karrigen time, duhet të mendosh të gjitha gjërat. Dëshira për ta pasur është aq e madhe, sa ia kemi bërë që në janar ofertën për rinovim. Mbrëmë bëmë një festë të vogël me stafin. Sot Silvinjo iku të pushojë dhe do të rikthehet për të vendosur për të ardhmen. Do vendosim para se të përfundojë Europiani. Do shkojmë ta shikojmë finalen bashkë. Nëse del një klub i La Ligës dhe i jep 5 milionë euro, e ka hallall. Mancini la Italinë, për lekët…”, deklaroi Duka.