Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka deklaruar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e Pjetër Shalës.
Klinaku tha se ky vendim është politik, duke thënë se të tilla kanë qenë edhe aktgjykimet e tilla.
Derisa theksoi se Gjykata Speciale i dënoi luftëtarët e UÇK-së, duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar kundër pushtuesit serb dhe për lirinë e popullit. Gjykata Speciale në Hagë në emër të popullit dënon luftëtarët e UÇK-së, por duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb e me dëshmi të dëshmitarëve të fshehur nga populli. Ashtu sikur në aktgjykimet e kaluara, edhe në rastin e bashkëluftëtarit Pjetër Shala, Gjykata Speciale aktgjykimet i merr politikisht”, ka thënë Klinaku në Facebook.
Ndryshe, Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar Pjetër Shalën me dënim të njësuar 18 vjet burgim, në të cilën llogaritet koha e parakaluar në paraburgim.