Në kuadër të planit investiv njëvjeçar, KEDS është duke bërë implementimin e projekteve kapitale nëpër lokalitete të shumta të Kosovës.
Një projekt i tillë në komunën e Vushtrrisë, tashmë është formësuar, thuhet në një komunikatë të KEDS-it.
Tek nënkalimi i fshatit Nadakovc, i cili është në ndërtim e sipër, buzë-rrugës që çon kah fshatrat Sfarçak, Novolan, Samadregjë e deri në Ceceli e Sllakovc, i është shtuar një linjë komplet e re e rrjetit elektrik.
KEDS ka vendosur 400 shtylla të reja të betonit, bashkë me përçues elektrikë dhe gjashtë transformatorë të rinj, si dhe stabilimente të tjera të nevojshme elektroenergjetike, të cilat përshkojnë një gjatësi prej rreth 15 kilometrash.
Ky projekt i njohur si ‘Nadakovc’ dhe i përfunduar para pak kohësh, hyn në kuadër të një projekti kapital, kostoja e përgjithshme e të cilit është 550 mijë euro.
Aktualisht, aty po bëhet eliminimi i rrjetit të vjetër elektrik, i cili ishte instaluar para shumë kohësh dhe nëpër terrene shpeshherë vështirë të qasshme për mirëmbajtjen e tij.
“Projekti ‘Nadakovc’ është vetëm njëri nga 250 projektet që KEDS planifikon t’i implementojë gjithandej nëpër Kosovë përgjatë këtij viti”, thuhet në komunikatë.