Janë bërë saktësisht 11 vjet që kur shoferi më i madh në historinë e Formula 1, gjermani Michael Schumacher, u lëndua rëndë gjatë skijimit në Alpet franceze dhe gjendja e tij shëndetësore është ende e mbuluar me mister.
Shtatë herë kampioni i botës pësoi aksidentin më 29 dhjetor 2013 teksa po bënte ski në Alpet franceze, duke goditur kokën në një shkëmb.
Edhe pse mbante kaskë skijimi, ai kishte pësuar lëndime të rënda në kokë.
Gjithçka që mund të shkonte keq shkoi keq atë ditë. Schumacher e njihte pistën e skive si në shuplakë, sepse ai dhe familja e tij kishin një shtëpi pranë shpateve, por pavarësisht nga gjithçka, ndodhi tragjedia.
Ai u transferua në një spital në Grenoble ku iu nënshtrua dy operacioneve dhe u vendos në koma të induktuar.
Pesë muaj më vonë, ai u transferua nga njësia e terapisë intensive në repartin e rehabilitimit dhe në qershor 2014 u transferua nga Grenoble në Spitalin Universitar në Lozanë.
Në shtator të po atij viti, ai mbërriti në shtëpinë e tij në Gland të Zvicrës, një qytet në brigjet e liqenit të Gjenevës.
Që nga ajo kohë mediat vetëm spekulojnë për shëndetin e tij dhe familja ka heshtur për gjithçka.
Situata shëndetësore e Schumacher u bë kështu një nga sekretet më të mëdha të sportit të sotëm.