Paralajmërimi që mësimdhënësit mund të hyjnë prapë në grevë dhe kundërshtimi që këta të fundit të testohen nga ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci po konsiderohen si çështje që SBASHK-u po i shfrytëzon për interesa të veta.
Popovci thotë se rritja e pagave nuk mund të bëhet vetëm për një sektor, siç është ai i arsimit, arsye kjo që edhe po thirren grevat.
Sa i përket dështimit të qeverisë aktuale për ndërtimin e 160 çerdheve, ish-zëvendësministri Popovci refuzoi të komentojë, duke theksuar se kjo çështje mund të gjykohet nga të tjerë, por jo nga ai, pasi ishte pjesë e qeverisë kur premtimi ishte bërë.
I pyetur nëse Kosova ka nevojë për ndërtimin e më shumë çerdheve, Popovci potencon se duhet të bërë një balancim mes ndërtimeve të reja dhe subvencionimit të regjistrimit në sektorin privat, që sipas tij, mund të jetë më fleksibil sesa ai publik.
“Gjatë këtij mandati të kësaj qeverie është premtuar që do të ndërtohen 160 çerdhe, porështë vënë themeli dhe janë ndërtuar pak prej tyre, si e shihni këtë? Thënë të drejtën këtë pyetje nuk isha përgjigjur, sepse unë kam qenë vetë pjesë e kësaj qeverie siç e dini, mendoj se për këtë duhet të gjykojnë njerëzit të cilët kanë qenë jashtë kësaj strukture…A ka nevojë Kosova për ndërtimin e më shumë çerdheve? Ne kemi një pjesëmarrje të ulët në edukimin parashkollor në përgjithësi dhe duhet pasur parasysh se kjo është në njërën anë rezultat i mungesës së kapaciteteve në sektorin publik dhe në anën tjetër është mungesë e mjeteve financiare për t’i financuar qëndrimin e fëmijëve në sektorin privat. Duke marrë parasysh edhe rrënjën e vazhdueshme demografike që e kemi në Kosovë, duhet të ndërtohet një balancë mes ndërtimeve të reja dhe subvencionimit të regjistrimit në sektorin privat i cili mund të jetë pak më fleksibil sesa sektori publik”, potencon Popovci.
Eksperti i arsimit, Dukagjin Popovci flet edhe për mundësinë e hyrjes në grevë të mësimdhënësve, për shkak të pagave jo të kënqshme, ashtu siç është paralajmëruar nga SBASHK-u.
Ai thekson se rritja e pagave nuk mund të bëhet vetëm në sektorin e arsimit, porse shtoi se duhet të ketë dialog mes qeverisë dhe SBASHK-ut, në mënyrë që të shmanget greva.
“Ata po i nxjerrin si arsye mungesën e dialogut dhe po i nxjerrin si arsye lartësinë e pagave. Sa i përket kësaj të dytës, lartësisë së pagave, kur të ndryshon paga në Kosovë në sektorin publik, ajo ndryshon për të gjithë, nuk mund të ndryshojë vetëm për një kategori…Nuk mund të lëvizen ato vetëm për punëtorët e arsimit siç ka ndodhur përpara kur nuk ka ekzistuar kur nuk ka ekzistuar ky ligj…Edhe qeveria edhe SBASHK-u gjithnjë duhet të bëjnë përpjekje që përmes dialogut social t’i shmangin këto situata kur dikush për shembull bie në pozitë që të ftojë për grevë ose për aktivitete të ndryshme sindikale”, thotë Popovci.
Përvec kësaj, Popovci shtoi se testimi i mësimdhënësve është një temë e vetë nxjerrë nga SBASHK-u për të arritur qëllimet e veta.
“Mendoj se SBASHK-u këtë temë po e nxjerrë thjeshtë për qëllimet e veta, sepse nuk ekziston asnjë legjislacion i cili parasheh testim të mësimdhënësve. Testimi i mësimdhënësve parashihet nëse ata dëshirojnë të kalojnë prej një niveli të licencës në një tjetër. Pra, janë dy nivele të licencës me legjislacionin e ri. Niveli i parë fitohet pa test, nëse dëshiron të kalosh në nivelin e dytë, njëherë duhet të hysh në test, që të filtrohesh, a mund të vazhdosh më tutje nivelin e dytë apo jo. Kjo është diçka shumë normale…Po e shoh që SBASHK-u po shfrytëzon disi”, shprehet Popovci.
Ndër të tjera, Popovci jep mendimin e tij edhe për metodën e subvencionimit të MASHT-it për blerjen e librave shkollor, derisa përmend si problem vështirësinë e disa prindërve për çasje në platformën E-Kosova.
Si shkak i kësaj, ai thotë se nuk përjashtohet mundësia që disa nxënës të mbesin pa libra./kp