Isa Mustafa në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, ka folur për lakimin e emrit të Ibrahim Rugovës gjatë 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Në reagim, Mustafa u shpreh se Rugova nuk u permend nga njerëzit adekuat por nga ata që figurën e tij e trajtojnë për interesat e tyre.
Ish-kryeministri foli për të pavërtetat, që po qarkullojnë se Rugova kishte kërkuar ndonjëherë azil në Gjermani.
“Aq më pak nuk thuhet e vërteta nëse ia mvesh dikush, që nuk e ka dashur Rugovën asnjëherë, që ai ka kërkuar azil në Gjermani. Unë kam qenë në Bon, si anëtar i qeverisë në ekzil, kur ka ardhur Rugova me familje të ngushtë nga Italia në maj të vitit 1999.”, shkroi Mustafa në Facebook.
Në reagimin e tij, Mustafa tha se ishte kërkesë e Qeverisë së Kosovës që Rugova të qëndrojë jashtë vendit dhe nga atje të punonte deri në kthimin e tij.
“Qeveria jonë ka qenë e interesuar që Rugova të qëndrojë aty për një kohë dhe të punojmë së bashku deri sa të kthehemi në Kosovë. Që qeveria e Kosovës (jo ajo gjermane) ti mbulojë shpenzimet e qëndrimit dhe të aktivitetit të tij. Askush nuk e ka menduar as përmendur azilin. Së fundmi azil nuk kishim kërkuar asnjëri nga ne që qëndruam 9 vite në ekzil, (as dr. Bujar Bukoshi, as dr. Muhamet Bicaj, as Halit Muharemi, as unë). Pas disa ditësh Presidenti Rugova u kthye në Itali.”, potencoi Mustafa.