Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia.
Hovenier përmes një postimi në rrjetin social “X” ka thënë se heqja e kufizimeve për mallrat serbe është hap i rëndësishëm për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
“I kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ne vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, ka shkruar Hovenier.
Vendimi i Qeverisë është përshëndetur edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian si dhe nga shtetet si Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se pikat kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat sapo të bëhen funksional skanerët me rreze X.