Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se ka vizituar Drejtorinë Rajonale të Policisë në Komunën e Ferizajt.
Përmes një njoftimi në Facebook, Haxhiu ka njoftuar se kanë diskutuar për adresimin e rasteve të dhunës në familje.
“Sot vizitova Drejtorinë Rajonale të Policisë në Komunën e Ferizajt me ç’rast diskutuam për adresimin e rasteve të dhunës në familje, sfidat me të cilat ballafaqohen, bashkëpunimi ndërinstitucional, nevojat e të mbijetuarave dhe rëndësinë e trajtimit serioz të rasteve të dhunës në familje”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu ka bërë të ditur se i ka ofruar mbështetje përfaqësuesve të Policisë në Ferizaj.
“Përfaqësuesve të policisë nga Ferizaj, Shtime, Shtërpca, Kaçaniku dhe Hani i Elezit iu ofrova mbështetjen time të plotë në punën që bëjnë dhe angazhimin e tyre ditor në mbrojtjen e qytetarëve tanë. Nga Janari deri më sot, në Komunën e Ferizajt janë raportuar 188 raste të dhunës në familje”, ka shtuar Haxhiu.