Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, vlerëson se tri kushtet e paraqitura nga kryeministri Albin Kurti në dialog janë fiktive dhe janë krijuar vetëm për konsum politik brenda vendit.
Hasani, i cili ka qenë ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, argumenton se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit sjellin detyrime të reja që nuk janë të favorshme për Kosovën, duke përfshirë krijimin e autonomisë për komunitetin serb në veri dhe eksterritorialitetin për Kishën ortodokse serbe në Kosovë.
Megjithatë, ai shton se pranimi i këtyre marrëveshjeve bën të pashmangshëm zbatimin e zotimeve të Brukselit dhe Ohrit nga qeveria e Kosovës.
Hasani gjithashtu shpreh mendimin se nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit nuk rrit besueshmërinë midis palëve, duke shtuar se letra e ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq drejtuar BE-së nuk determinon ligjshmërinë dhe obligimet për zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Ai gjithashtu vlerëson si të pamundur kërkesën për ekstradimin e përgjegjësit të sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, duke argumentuar se çdo shtet sovran ka një rregull themelor që nuk ekstradon shtetasit e tyre pa një marrëveshje për ekstradim.
Hasani konkludon se ka disa parime themelore të ligjit ndërkombëtar që bëjnë të pamundur ekstradimin e Radoiçiq, duke shtuar se Serbia ka detyrimin të nisë procedurat për dënim apo gjykim në këtë rast.