Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me vizitën e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns në Kosovë.
Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se vizita e Burns në Kosovë është nder i madh dhe lajm i mirë për sigurinë e vendit.
“Vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës z. Burns në Kosovë, është nder i madh për Kosovën dhe lajm i mirë për sigurinë tonë. Për ne, është jetike integrimi në familjen euroatlantike, dhe aleanca me Amerikën është e përjetshme”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj, ka thënë se po ashtu lajm i mirë është edhe takimi i tij me udhëheqësit e institucioneve, duke shtuar se askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën.
“Institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën. Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve, janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, ia lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.
Shefi i CIA-s, William Burns të enjten është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Ndërsa sot, është zhvilluar takimi mes Kurtit dhe shefit të CIA-s në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.