Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka bërë kryeministrin Albin Kurti përgjegjës kryesor për mungesën e energjisë elektrike.
Haradinaj ka thënë se Kurti e ka penguar çdo investim në energji ndër vite pasi sipas tij ai është direkt i lidhur me shitblerjen e energjisë.
Haradinaj ka shtuar se kryeministri është dashur të thirret nga Prokuroria për siç ka thënë ‘dëmin që ia bën Kosovës me energjinë’.
“Argati i Serbisë, Albin Kurti, ai është përgjegjësi, ai e ka penguar çdo investim në energji ndër vite. Së fundi ka arritur të ndalë edhe gazsjellësin, edhe një central me gaz, pra energji e pastër Prishtinë që mos të ketë energji, kuptohet vonë u morr vesh pse i kanë pengu këto investime, për shkak se është direkt i lidhur në shitblerjen e energjisë në përfitimet e këtyre shitblerjeve dhe fatkeqësisht e kemi gjendjen si e kemi. Pra shkaktar kryesor është Albin Kurti jo vetëm që nuk kemi energji, por ai është dashur të thirret në Prokurori për dëmin që ia bën Kosovës, sepse në vend që Kosova të ketë energjinë e saj të lirë me ato centralet termocentralet ku megavati ka mundur të jetë 80 euro, ky e blen deri në 1 mijë euro, pra dy herë ia faturon çmimin qytetarit, njëherë e blen nga buxheti e pastaj ia faturon edhe njëherë me çmime të ngritura”, ka deklaruar Haradinaj në konferencë për media pas pritjes që e organizoi AAK-ja në prag të ditës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.