Në Muzeun Kombëtar të Kosovës u hap ekspozita fotodokumentare `KFOR dhe Kosova +25`, që shënon 25-vjetorin e vendosjes së KFOR-it në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se këto fotografi e dëshmojnë një kontribut të jashtëzakonshëm të KFOR-it në Kosovë dhe një bashkëpunim shembull me Kosovën.
“Pashmangshëm këto foto na kthejnë një çerek shekull më parë. Kjo ekspozitë na kthen pas në muajt e parë të lirisë dhe sjell në pah një periudhë të rëndësishme historike, na i mbanë gjallë kujtimet. Është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtarë ,siç është rasti i KFOR-it me Kosovën. Ne vlerësojmë thellësisht rolin e NATO -s, me përkushtim të plotë për paqe dhe siguri në vendin tonë”, tha ai.
Ekspozita përfshin një fotodokumentar unik nga foto-gazetari skocez Nick Sidle, i realizuar në Kosovë në vitin 2000-2001, duke treguar jetën dhe punën e paqeruajtësve të KFOR-it.
Kjo ekspozitë paraqet një periudhë historike të rëndësishme dhe ofron një pasqyrë unike në jetën dhe punën e paqeruajtësve, si dhe ndikimin e tyre në Kosovë dhe përtej. Ajo thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të siguruar paqen dhe stabilitetin.