Hamasi akuzoi Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për shtimin e kushteve dhe kërkesave të reja, për një propozim armëpushimi të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pas bisedimeve të fundit të zhvilluara nëpërmjet ndërmjetësve.
Zoti Netanyahu, megjithatë, mohoi të kishte bërë ndonjë ndryshim dhe tha se ishte realisht grupi Hamas që këmbënguli për ndryshime të shumta ndaj propozimit origjinal.
Grupi islamist palestinez i mbështetur nga Irani tha se kishte marrë përgjigjen e fundit nga Izraeli, pas bisedimeve në Romë që përfshinin Izraelin, Shtetet e Bashkuara, Egjiptin dhe Katarin.
“Është e qartë nga ajo që ndërmjetësit përcollën se Netanyahu i është rikthyer strategjisë së tij të zvarritjes, evazionit dhe shmangies së arritjes së një marrëveshjeje duke vendosur kushte dhe kërkesa të reja”, tha Hamasi në një deklaratë të hënën.
Grupi Hamas e akuzoi zotin Netanyahu për tërheqje nga një propozim i paraqitur më parë nga ndërmjetësit, i cili tha se ishte bazuar tashmë në një “letër izraelite”.
Zyra e zotit Netanyahut tha në përgjigje se ishte udhëheqja e Hamasit që po pengonte arritjen e një marrëveshjeje, duke kërkuar 29 ndryshime në propozim.
“Izraeli po i qëndron parimeve të tij sipas propozimit origjinal – një numër maksimal i pengjeve (për t’u liruar) që janë ende gjallë, kontrolli izraelit i korridorit të Filadelfit (përgjatë kufirit Gaza-Egjipt) dhe parandalimi i lëvizjes së terroristëve dhe armëve në pjesën veriore të Rripit të Gazës”, thuhet në deklaratë.
Zyrtari i lartë politik i Hamasit, Izzat El-Reshiq më vonë të hënën mohoi që grupi i tij të kishte paraqitur ndonjë kushtëzim të ri, duke e akuzuar zotin Netanyahun për pengesa të qëllimshme.
“Ndërmjetësuesit janë të vetëdijshëm se Hamasi tregoi fleksibilitet dhe pozitivitet dhe hapi rrugën drejt arritjes së një marrëveshjeje, si dhe anashkaloi pengesat izraelite”, tha zoti Reshiq.
Një zyrtar tjetër i Hamasit i tha televizionit të Hamasit, Al-Aqsa se Kryeministri izraelit Netanyahu kishte ngritur kushte të reja “të pamundura” në lidhje me kthimin e palestinezëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre, se kishte refuzuar të tërhiqej nga vendkalimi i Rafahut dhe vija kufitare me Egjiptin dhe kishte refuzuar lirimin e të burgosurve palestinezë që kanë marrë dënime të zgjatura.
Uashingtoni, i cili i mbështet bisedimet, ka thënë vazhdimisht se arritja e një marrëveshjeje është e afërt. Bisedimet e fundit bëhen rreth një propozimi që Presidenti Joe Biden paraqiti në muajin maj.
Hamasi dëshiron një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftës në Gazë, ndërsa zoti Netanyahu thotë se konflikti do të ndalet vetëm pasi Hamasi të mposhtet. Ka edhe mosmarrëveshje se si do të zbatohej një marrëveshje e mundshme.
Vendet ndërmjetësuese, Katari dhe Egjipti, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, kanë thënë vazhdimisht se dyert për negociata të mëtejshme mbeten të hapura, ndërsa Izraeli dhe Hamasin shprehin gatishmërinë për të negociuar./voa