Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Duric, ka takuar sot në Austri Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit të ministrave të punëve të jashtme të grupit joformal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.
Sipas njoftimit të MPJ-së serbe, Duric ka theksuar angazhimin e plotë të Serbisë për dialogun me Kosovën nën patronazhin e BE-së dhe ka shprehur shqetësimin e tij për sigurinë e komunitetit serb në Kosovë.
“Në këtë moment është e nevojshme, para së gjithash, të sigurohet siguria e popullatës serbe dhe pa vonesa të mëtejshme të zbatohen të gjitha detyrimet nga marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të dialogut në Bruksel”, ka thënë Duric.
Ai gjithashtu ka vlerësuar se situata në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë dhe se serbët përballen me presion të padurueshëm nga veprimet afatgjata dhe sistematike të autoriteteve lokale në Kosovë, sipas MPJ-së serbe.
Ministri Duric ka theksuar gjithashtu se Serbia vë rëndësi të veçantë përmirësimit të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve fqinjësore, duke përmendur se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon është me interes kyç për Serbinë.