Sektori i ndërtimtarisë në disa raste nuk po zbaton vendimin e qeverisë për kufizimin e orarit të punës për shkak të temperaturave të larta.
Nga disa raporte të siguruara nga KP, punëtorë në kryeqytet vazhdojnë punën e tyre normalisht, edhe pse qeveria ka urdhëruar ndalimin e punës nga ora 11:00 deri në ora 17:00 për ambientet e hapura.
Inspektorati i Punës ka konfirmuar shkelje të këtij vendimi, duke evidentuar se ditën e shtunë vetëm në kryeqytet janë gjetur 28 kompani që nuk e kanë respektuar këtë urdhër, dhe tani do të përballen me gjoba. Kompanitë që po respektojnë vendimin po kërkojnë subvencione nga qeveria për orët e punës të humbura.
Një ekspert i ekonomisë, Mustafë Kadrija, vlerëson se qeveria duhet të ndërmarrë masa për të ndihmuar bizneset e prekura nga këto kufizime, duke sugjeruar subvencione të qeverisë për t’i ndihmuar ato të mbijetojnë këtë periudhë të vështirë.
Për shkak të kushteve të nxehta, Ministria e Shëndetësisë ka kufizuar orarin e punës për disa kategori, duke përfshirë gratë shtatzëna dhe qytetarët me sëmundje kronike.