Gjyqtari, Morten Krogh e ka përfunduar ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës, pasi lojtarët dardanë nuk dolën në fushë në “Arena Nationala”.
Ata braktisën fushën në minutat shtesë të ndeshjes. Pas një përplasjeje në fushë të kapitenit Amir Rrahmani me futbollistin rumun, Denis Alibec, u krijua një tollovi e madhe. U përfshinë shumica e lojtarëve, ndërkohë që në tribuna nisën fyerjet. Kishte thirrje “Serbi, Serbi”, ndër të tjera. Kishte edhe hedhje të gjësendeve në fushën e lojës. Ndërkohë disa prej lojtarëve të Kosovës e bënë figurën e shqiponjës dykrenare.
Pas thirrjeve “Serbi, Serbi”, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani u kërkoi lojtarëve të tjerë që të largohen nga fusha. Këtë edhe e bënë.
Ka pasur zhvillime të shumta ndërkohë, por lojtarët e Kosovës nuk u kthyen në fushë. Këtë ua ka kërkuar edhe arbitri Krogh, por lojtarët qëndruan prapa vendimit që të largohen. Tani vendimin final e merr UEFA. Nëse arbitri vlerëson se lojtarët e Kosovës e kanë braktisur ndeshjen pa të drejtë, atëherë ka gjasa që fitorja 3:0 t’u takojë rumunëve. Dalja e arbitrit për ta përfunduar ndeshjen në fushë, nuk duket se shkon në favor të Kosovës.
“Ndeshja e UEFA Ligës së Kombeve mes Rumanisë dhe Kosovës është ndërprerë. UEFA do të njoftojë për zhvillimet e mëtejme në kohën e duhur”, shkruan në njoftimin e UEFA-s, të publikuar të premten pak para mesnatës.
Ka pasur raportime nga mediet rumune se arbitri u ka kërkuar lojtarëve të Kosovës të kthehen në fushë, por se ata nuk kanë pranuar. Ndërprerja zgjati mbi një orë, para se arbitri të dilte në fushë dhe t’i binte bilbilit për herë të fundit. Lojtarët e Rumanisë kanë duartrokitur, duke bërë të qartë se çfarë vendimi presin.
Kur u ndërpre ndeshja, rezultati ishte 0:0. Në fakt ishin pak minuta deri në fund dhe gjasat që të ndryshonte rezultati ishte fare të vogla.
Në fushë, lojtarët e Kosovës kanë dominuar. Sidomos në pjesën e parë, dominimi ishte i plotë sa u takon rasteve. Muharrem Jashari bëri goditje të fortë e më pas Edon Zhegrova e Vedat Muriqi lëshuan rast të artë. Në fund të pjesës së parë, rumunët goditën traversën.
Ndërkaq pas përfundimit të ndeshjes Bajram Shala, menaxher i Kombëtares së Kosovës, në një konferencë për media tha se ekipi përfaqësues ka vendosur të mbyllë ndeshjen me Rumaninë në fushë për shkak të racizmit të shfaqur.
“Nuk mund të të marrim pjesë në të cilën parimet themelore të UEFA-s nuk respektohen. Pati edhe racizëm dhe sjellje racore kundrejt ekipit kombëtar të Kosovës prandaj kemi vendosur të mos marrim pjesë në këtë ndeshje sepse është hera e dytë në të njëjtin stadium. S’ka as respekt e ka fyerje racore ndaj kombëtares që ne përfaqësojmë”, ka thënë ai