“Unë isha në SHBA…kemi miq pafund në të dy kampet atje”, kështu tha Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e pyetur për një deklaratë të Richard Grenell, emisar për Misione të Posaçme i presidentit amerikan, Donald Trump.
Gërvalla ka pretenduar se nuk është e vërtetë që bashkësia ndërkombëtare është kundër Kurtit. Siç tha ajo, qeveria e udhëhequr nga Kurti ka miq në të dy kampet në SHBA.
“Nuk është e vërtetë që bashkësia ndërkombëtare është kundër Albin Kurtit, sepse kjo do të thotë që të gjithë ata partnerë me të cilët bisedoj unë ose e fshehin të vërtetën nga unë, ose flasin fjalë të tjera tjetërkund, përkundrazi kjo Qeveri e Kosovës mbaj mend në vitin 2021 kur sapo ishim zgjedhur deri kah mesi i vitit 2022, ende na i përmendnin ato fjalitë standarde duhet të luftoni korrupsionin, duhet të reformoni administratën, asnjë njeri i vetëm jashtë kufijve të Kosovës nuk ma ka përmendur në vitin 2024 fjalën korrupsion, sepse ka konsens që në këtë vend korrupsioni luftohet, edhe ligji respektohet, prandaj shumica e partnerëve tanë janë shumë të lumtur me këtë zhvillim. Unë jam e fundit që më takon në një studio televizive të komentoj deklaratat e tij.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri më i rëndësishëm i Kosovës. Është shteti që jo vetëm gjatë luftës por edhe pas luftës na ka përkrahur, pra është tepër naive të besosh që Amerika do të heqë dorë nga siguria e vendit tonë, që kushdo në Amerikë do të rrezikojë prosperitetin e vendit tonë. Ne në të dyja kampet në SHBA kemi miq të rëndësishëm, kemi njerëz që realitetin e sotëm dhe të ardhmen e Kosovës e marrin shumë seriozisht. Unë duhet ti gënjej të gjithë ata që i gëzohen rreziqeve për Kosovën. Është tepër naive të besosh që Amerika do të heqë dorë nga siguria e vendit tonë…”, ka thënë ajo në ndër të tjera në Tëvë1.
Gjatë së hënës, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell pak ditë para zgjedhjeve i ka reaguar kryeministrit Kurti për një deklaratë që e ka bërë rreth marrëdhënieve me SHBA-në.
Grenell tha se Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në.
“Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, ka shkruar Grenell.
Ai tha se SHBA-ja ka nevojë për partnerë të besueshëm dhe e ka kritikuar Kurtin se ka ndërmarrë veprime të njëanshme që e kanë destabilizuar rajonin.
“Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell në X.