Instituti GAP ka prezantuar të dhënat mbi progresin e kryetarëve të komunave të Kosovës në përmbushjen e premtimeve zgjedhore deri në muajin qershor 2024.
GAP ka gjetur se nga gjithsej 1,816 premtime të dhëna nga 27 kryetarë të komunave, 765 premtime apo 42% janë përmbushur plotësisht, 304 premtime apo 17% konsiderohen gjysmë të përmbushura, 326 premtime apo 18% janë të filluara, ndërsa 421 premtime apo 23% ende nuk kanë filluar dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap për përmbushjen e tyre.
Ndërsa, vlerësuar sipas fushave, përqindja më e lartë e premtimeve është përmbushur në fushën e administratës dhe atë të shëndetësisë me 66%, pasuar nga fusha e arsimit, bujqësisë dhe ekonomisë me së paku 50% të premtimeve të dhëna, njoftoi instituti përmes një komunikate me të gjeturat.
Ndërsa fushat me përmbushjen më të ulët të premtimeve kanë dalë infrastruktura, urbanizimi dhe shërbimet publike. Nga 41 premtime të dhëna nga 27 kryetarë komunash në fushën e urbanizimit, deri më tani janë përmbushur vetëm 11.
“Për dallim nga vitet e kaluara, kur përmbushja e premtimeve ishte kryesisht e fokusuar në fushën e infrastrukturës, këtë vit kjo vërehet më shumë në fushën e administratës dhe shëndetësisë. Në fushën e administratës, premtimet kanë përfshirë rritjen e transparencës në vendimmarrje, publikimin e akteve komunale, përfshirjen e grave në pozita udhëheqëse, respektimin e procedurave ligjore gjatë rekrutimeve për vendet e punës dhe thjeshtimin e procesit të dokumenteve zyrtare përmes digjitalizimit. Në fushën e shëndetësisë, premtimet lidhen me rritjen e orarit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, modernizimin e pajisjeve, përmirësimin e cilësisë dhe përgjegjësisë gjatë ofrimit të shërbimeve, kontrollet specifike mjekësore për kategori të veçanta, si dhe përmirësimin e kushteve të punës dhe shërbimeve në shëndetësinë primare”, thuhet nga GAP.
Instituti GAP bën monitorim periodik të realizimit të premtimeve në 27 nga 38 komuna të Kosovës, ngase disa nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore. Kryetarët e komunave sikurse Mamusha dhe të dhjetë komunave të banuara me popullsi me shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.