Shemsedin Dreshaj, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se biseda e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës, me terroristin Milan Radojçiq është e papranueshme.
Ai ka vlerësuar se çdo komunikim i qeverisë me një person të shpallur të padëshiruar nga SHBA-të shkel ligjin.
Dreshaj theksoi nevojën për përgjegjësi publike dhe politike nga ana e qeverisë, duke shtuar se nëse biseda është e vërtetë, duhet të kërkohet përgjegjësi legale nga Mimoza Kusari. Ai gjithashtu theksoi se kontakti me Listën Serbe është i paarsyeshëm, pasi ata nuk marrin pjesë në votime parlamentare.
Në lidhje me situatën politike, Dreshaj shprehu qëndrimin e AAK-së për nevojën e zgjedhjeve të shpejta, duke argumentuar se qeveria aktuale ka bërë dëme të konsiderueshme vendit dhe ndërkombëtarisht. Ai theksoi se AAK është në favor të kthimit të mandatit të qeverisë për keqqeverisje ose mosqeverisje, duke pohuar se aktualisht ekziston një krizë qeveritare në vend, jo një krizë parlamentare. /Telegrami/