Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kujtim Shala ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Raportimi i tij për periudhën një vjeçare është bërë me dyer të mbyllura, ndërkohë që është diskutuar rreth aktiviteteve dhe menaxhimit të AKI-së. Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të ftohet në raportim drejtori i përgjithshëm, Petrit Ajeti, i cili do të njoftojë për gjendjen e sigurisë në vend.
Pas mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu tha se janë evidentuar shumë çështje të brendshme të AKI-së, të cilat do të trajtohen ditëve në vijim.
“Sot kishim në raportim një-vjeçar, inspektorin e përgjithshëm të këtij agjencioni, i cili është zotëri Kujtim Shala. Me te cilin diskutuam gjatë tërë kësaj kohe, më tepër se një orë rreth punës apo aktivitetit, menaxhimit të AKI-së. Ju e dini që kompetencat e inspektorit janë auditimi i brendshëm financiar, mbikëqyrja, hulumtimi dhe hetimi i punonjësve të AKI-së edhe punës në përgjithësi. Evidentuam shumë çështje të brendshme të AKI-së për të cilat u dakorduam që në ditët në vazhdim t’i trajtojmë në mënyrë të detajuar për shkak se në raportet të cilat prezantohen zakonisht kemi të bëjmë me shifra teknike dhe jo shpesh herë lëshohen në detaje”, deklaroi ajo.
Ajo tha se javën e ardhshme do të ftohet në takim drejtori i AKI-së, pas deklarimeve të fundit për situatën e sigurisë në vend.
“Të mërkurën e ardhshme do ta ftojmë drejtorin e përgjithshëm të AKI-së, i cili do të na njoftojë për gjendjen e sigurisë në vend, duke pasur parasysh që kemi dëgjuar deklarata të shumta të krerëve të shtetit për ndjeshmërinë e sigurisë në vend dhe rreziqet e mundshme që mund t’i kanosen vendit në ditët në vijim. Si Komision Parlamentar u dakorduam që të marrim informatat e konfirmuara që qytetarëve t’iu servojmë të vërtetat të cilat i ka AKI”, shtoi deputetja e PDK-së./kp