Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shënimin e 248-vjetorit të pavarësisë së tyre.
Sveçla tha se sot edhe Kosova feston si një aleat i përhershëm i ShBA-ve, duke shprehur mirënjohjen jo vetëm për përkrahjen e vazhdueshme por edhe shembullin që vazhdojnë të japin.
“248 vite më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën pavarësinë e tyre duke vendosur themelet e forta të lirisë e demokracisë që shërbejnë si vlera përparimtare për të gjithë popujt që aspirojnë ato. Liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracia e shëndoshë, barazia e drejtësia që synon deklarata e shpalljes së pavarësisë së ShBA-ve, vazhdojnë të jenë themelet e përpjekjeve të përditshme të popujve që duan jetë e zhvillim të qetë e në paqe. Këto vlera duhet dhe do të triumfojnë përballë agresioneve e rreziqeve me të cilat po përballet bota e njerëzimi. Festojmë sot si aleatë të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur mirënjohjen jo vetëm për përkrahjen e vazhdueshme por edhe shembullin që vazhdojnë të japin tash e 248 vite. Në këtë datë të shënuar, urojmë popullin amerikan dhe institucionet e ShBA-ve, miqtë e partnerët e Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook./Telegrami.co./