Ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në fshatin Zllakuqan të Lipjanit – një person ka humbur jetën pasi është sulmuar me një mjet të mprehtë.
Ngjarja ka rezultuar fatale për Agim Zanin, një 57-vjeçar, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Dy të dyshuarit Skender Krasniqi dhe i biri i tij, Taulant Krasniqi, janë arrestuar nga policia.
Ngjarja ka ndodhur pas një përleshjeje fizike mes palëve, që ka eskaluar në përdorimin e një mjeti të mprehtë.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Magure, Zani nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve.
Policia Rajonale në Prishtinë ka konfirmuar rastin dhe është duke zhvilluar hetimet për të ndriçuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje që ka ndodhur në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në informacionet e para, janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë.
Njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor. Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që dy persona të dyshuar janë arrestuar”, thuhet në deklaratën e policisë.
Bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e të plagosurit është stabile