Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka reaguar ndaj Nagip Krasniqit, ndaj të cilit Prokuroria të hënën ngriti aktakuzë.
Përmes një postimi në Facebook, Deliu ka shkruar se skandalet e energjisë elektrike në Kosovë gjatë kësaj qeverie, sipas saj ka përmasa më të mëdha.
“Nuk janë vetëm 3.5 milion euro taksa të qytetarëve, të cilat dyshohet se janë keqpërdorur nga ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Skandali me energjinë elektrike në Kosovë gjatë kësaj Qeverie, ka përmasa shumë më të mëdha, edhe rajonale. Për këtë, dëshmi është ambasadori Martin Berishaj, si “tregtar i energjisë””, ka shkruar Deliu.
Deputetja i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale se duhet të hetoj të gjithë sektorin energjetik, transmeton Telegram News.
“Prandaj, Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila dje ngriti edhe zyrtarisht aktakuzë ndaj Nagip Krasniqit, njeriut të suksesshëm të Kryeministrit Kurti, duhet ta hetoj në tërësi të gjithë sektorin energjetik në vend gjatë kësaj periudhe. Uroj që peri të mos këputet te Nagipi, por Prokuroria ta ndjekë atë deri në zyrat më të larta të shtetit, atje ku e ka edhe fillin”, ka shkruar tutje Deliu. /TelegramNews/