Anëtari i kryesisë së AAK-së Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj faturave të fryra të energjisë elektrike që po shpërndahen tek qytetarët , duke e cilësuar si abuzim kriminal të bandës energjetike të Gen-it serb.
Qeverinë Kurti, Daut Haradinaj e ka quajtur qeveri të abuzimit.
“Nëse ka pasë ndonjëherë abuzim me popull është kjo që po ndodh tani nga kjo qeveri.
Faturat e rrymës që po shpërndahen sot me çmime astronomike, janë dëshmi e abuzimit kriminal të bandës energjetike.
Urgjent duhet me u ngrit i madh e i vogël me e ndalu këtë shkatërrim.
Ne paguajmë për GEN-in serb, ky është krim dhe kjo është arsyeja se pse u ndërpre projekti për termocentralin e ri”, ka reaguar ashpër Haradinaj.
Sokol Havollii LDK-së: 100 eurot e “falura”, përfunduan në rritjen e faturave të rrymës
Sokol Havolli i LDK-së ka renditur dështimet e Qeverisë Kurti si arsyet kryesore pse ata nuk kanë guxim të dalin në debat publik përballë rivalëve politikë dhe analistëve.
“Nuk do të merremi shumë me të kaluarën duhet të fokusohemi nga e ardhmja se çka ka realizuar kjo Qeveri dhe për dështimet e njëpasnjëshme janë dëshmitar qytetarët dhe kjo është arsyeja pse Qeveria në ikje e eviton çdo lloj debati politik përfshirë edhe në periudhën e zgjedhjeve sepse e kanë vështirë të rrinë edhe në studio televizive. Jeta e qytetarit për gjatë katër viteve është keqësuar”, potencoi ai.
Havolli theksoi se infuzioni i 100 eurove që u dha në fund të vitit ka përfunduar në rritjen e faturave të energjisë, të cilat ai i sheh si një tentativë për të ndihmuar “mafinë e energjetikës”.
Milazim Krasniqi: Qytetarët e dinë sa dëme u janë shkaktuar nga reduktimet e energjisë elektrike
Analisti dhe profesori Milazim Krasniqi ka evidencuar një varg premtimesh të Qeverisë Kurti e cila tashmë ka dështuar në raport me qeverisjen dhe lidhur me dështimet ku bie edhe energjetika ai ka thënë:
“Qytetarët e dinë se sa nervozë e dëme u janë shkaktuar nga redutimet e energjisë elektrike. Mësuesit e arsimtarët e mbajnë mend presionin dhe fyerjen që ua ka bërë Albin Kurti. Minatorët e mbajnë mend presionin dhe dëmin që ua ka shkaktuar qeveria Kurti. Punëtorët në sektorin publik e dinë se si ka dashur t’i fuste nën kontroll të qeverisë. Bujqit e dinë se si janë ndarë grantet me të njofshëm. Veteranët e dinë se si i ka luftuar LVV në bashkëpunim me Radojçiqin. Biznesmenët e dinë se si ua ka ngulfatur aktivitetin qeveria Kurti. Pensionistët e dinë se qeveria Kurti katër vite është tall me pensionet e tyre. Të sëmurët e dinë se shërbimet në spitalet publike janë të dobëta. Njerëzit fetarë e dinë se si ua ka fyer ndjenjat me përpjekjet për të miratuar martesat brenda të njëjtës gjini. Kush po mbetka i kënaqur me këtë qeveri, përveç vetë qeveritarëve?”, ka shkruar Krasniqi. /Telegram News