Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i pandehuri H.R., akuzohet se në katër (4) raste në vitet 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar i gjendjes civile në komunën e Vushtrrisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personave tjerë, si dhe shkeljes së drejtave të personave tjerë, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për gjendjen civile nr.04/L-003, Ligjit për shtetësinë e Kosovës dhe udhëzimet administrative ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile katër (4) persona, me të dhëna fiktive, pa qenë të regjistruar në librat amëz të lindjes, dhe kështu i ka pajisur kundërligjshëm me numër personal dhe dokumentacion.
Ndërkaq i pandehuri L.V., akuzohet se me datë 19 qershor 2017, në zyrën e regjistrimit civil, i njëjti ka vënë në lajthim organin kompetent – zyrën e regjistrimit civil në komunën e Vushtrrisë dhe ka vërtetuar një çështje të pa vërtetë në atë mënyrë që pa qenë i regjistruar në librat amëz të lindjes në gjendjen civile, me dokument të falsifikuar ka arritur të regjistrohet dhe të marrë numrin personal dhe të pajiset me dokumentacion.
“Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t`i shpallë fajtor për veprat e kryer penale dhe t`i dënojë sipas ligjit”, thuhet në njoftim.