AAK-ja ka reaguar pas deklaratës së Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu e cila në konferencën e fundvitit tha se “ku ka qenë Kryeprokurori Blerim Isufaj kur Ramush Haradinaj thotë se Kryeministri Kurti ka lidhje me Serbinë”.
Ajo tha se kjo është një deklaratë e rëndë, “a e kanë ftuar Ramush Haradinaj për këtë deklaratë Prokuroria”?
“Ku ka qenë kryeprokurori Isufaj kur Ramush Haradinaj thotë se ‘kryeministri Kurti është i lidhur me Serbinë’? A e kanë ftuar Haradinajn për këtë deklaratë? Është një deklaratë e rëndë, pasi po akuzon një kryeministër. Sigurisht që jo, sepse dalin lidhjet e Ramushit me Serbinë dhe me terroristët që e prisnin në zyrë, siç është Milan Radojiçiç”, tha Haxhiu para gazetarëve sot.
AAK-ja i ka quajtur “shpifje të ulëta”, deklaratat e Ministres Albulena Haxhiu.
AAK thotë se vetëm Kosova e ka një Ministre të Drejtësisë që “fut hundët gjithkund”.
Reagimi i plotë:
Veç Kosova e ka një ministre të drejtësisë që i fut hundët gjithkund. Nuk ka vend tjetër ku ministri i drejtësisë e sulmon systemin gjyqësor të shtetit të vet. Ajo, sa ishte në opozitë, ka qenë sinonim i personit që ka shkelur ligjet e vendit e s’ka lënë gjyqtar apo prokuror pa e sulmuar. Dhe prandaj është emëruar ministre e drejtësisë që misionin e partisë së vet e që është shkatërrimi i sistemit të drejtësisë, ta çojë deri në fund.
Sa merret me kopalla, ajo është mirë të japë përgjigje se çka ndodhi me rastin Dehari, si u zhduken e si u gjetën mostrat. Cka ndodhi me gjuajtjen e Kuvendit me Zollë nga bashkëpartiakët e saj.
Si u përfshinë matrapazët ordinerë në aferën e vjedhjes së miellit e vajit.
Le të merret me Martin Berishaj e Nagip Krasniqin e të mos i marrë në mbrojtje.
Më në fund ajo duhet t’i tregojë popullit të Kosovës, se pse Kryetari i Partisë së saj, sot Kryeministër, nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për t’u intervistuar, por e sfidon drejtësinë e Shtetit.
Ka shumë përgjigje që duhet të japë kjo ministre, përpara se të merret me propagandë të nivelit të ulët.
Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetet hero e luftëtar kundër Serbisë e për lirinë e vendit të vet, të cilin sot e poshtërojnë njerëz si kjo minstre. Përpara se të shpifë për lidhjet e Ramush Haradinajt me Serbinë, le të merret me lidhjet e shefit të vet e me të shkuarën e tij, për të cilën kanë dalë edhe informata e që përflitet gjithandej.