Rritje çmimesh të artikujve të konsumit bazë në Kosovë, kanë prekur jetën qytetare si kurrë më parë, ndërsa Qeveria Kurti mendon akoma se ndarja e 100 eurove, një apo dy herë gjatë një viti zgjidh problemet e ekonomive familjare, derisa çmimet bëjnë lëvizje si pasojë e inflacionit që kishte dhe ka akoma Kosova.
Kosova e shpenzon paranë e gatshme për import të mallrave dhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës evidencojnë se vetëm gjatë muajt tetor vlera e mallrave të importuara ishte 580.4 milionë euro import tregtar, përballë 87 milionë eurove mall të eksportuar.
Se sa ka qenë Qeveria e Kosovës e aftë të përballet me ekuilibër tregtar mes importit dhe eksportit tregon dallimi tregtar i muajit gusht të vitit 2024, i cili në raport me një vit më parë ka deficit tregtar rreth 10%.
Pra Kosova ka rritur importin për 10% më shumë në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023 duke eksportuar paranë e gatshme për mallra që është larg ekuilibrit me eksportin.
Kur një shtet shet mall prej 87 milionë eurove dhe blen 10 fish më shumë, kjo tregon më së miri stagnimin e Kosovës në sistemin eksport-import ku shkon paraja e gatshme, por Qeveria sikur nuk din se kjo diferencë sjell inflacion
Raporti i tregtisë së jashtme të Kosovës
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 9,4% në muajin gusht 2024, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 498,5 milion euro, krahasuar me deficitin prej 455, sa ishin një vit më parë. Ndërsa, eksporti mbulon importin me vetëm 14,4%. Eksporti i mallrave në muajin gusht 2024 kishte vlerën 83,5 milion euro, ndërsa importi 582,0 milion euro, që është një rritje prej 24,0% për eksport, si dhe një rritje prej 11,2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023, por në etapa të caktuara ky deficit shkon deri në 12%, tregon ASK.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 19,6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 19,2% e përbëjnë produktet minerale, 11,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11,0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 10,3% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar.
“Inflacioni Ka lënë gjurmë shumë shqetësuese në Kosovë. Sot shumë produkte që mund t’i gjejmë në Kosovë janë shumë më të shtrenjta se sa në vendet evropiane. Kjo është kostoja e eksportit të parasë së gatshme të Kosovës duke importuar mallra dhe shërbime nga vende të ndryshme evropiane dhe më gjerë dhe në këtë drejtim jemi duke importuar inflacion të heshtur që vërtetë po e godit shtresën e ulët të qytetarëve të Kosovës”, shprehet ekonomisti Safet Gërxhaliu.
Ekspertët ekonomikë e shohin trendin tregtar në Kosovë si faktkeqësi përkeqësimi të jetës së qytetarëve në Kosovë, ku Qeveria nuk ka reagime ndaj përmirësimit real të jetës qytetare, por me vendosjen e masave duke falur nga 100 euro për shtresa të caktuar.
E pavarësisht se Qeveria ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike për familjet e cenueshme dhe ndau nga 100 euro shtesa për pensionistët dhe fëmijët nën moshën 16 vjeçare, ekonomistët vlerësojnë se ndihma e shtetit karshi popullatës mbetet ende e vogël.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni gjatë vitit 2024 ka pasur rritje për 0.4 %. /Telegram News