Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar ndaj Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kundërshtuan Planin Zhvillimor të Prishtinës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Rama ka theksuar se ky bojkot nga PDK e VV është në dëm të qytetarëve.
“VV dhe PDK u bënë bashkë për të bllokuar vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor të Prishtinës, i cili është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e Kryeqytetit për periudhën 2024 – 2032. Ky bojkot nga VV dhe PDK, është në dëm të qytetarëve të Prishtinës sepse ua pamundëson të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese për kontribut në këtë dokument të rëndësishëm”, u shpreh Rama.
Gjithashtu i pari i Prishtinës falënderoi partitë e tjera për përkrahjen.
“Me këtë rast, i falënderoj përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Aleancës Kosova e Re, NISMA dhe Lëvizja për Bashkim për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillim të Kryeqytetit”, shtoi Rama.