Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdarë, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.
Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe.
Rojeviq tha në një intervistë se bllokadat janë “reciprocitet i asaj që Kurti po ua bën serbëve” në Kosovë. /REL