Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se qeveria është dashur të bëjë indeksimin e pagave dhe të pensioneve.
Madje, ajo tha se LDK-ja ka kërkuar largimin e TVSh-së nga produktet bazë, por edhe nga energjia elektrike.
Bajrami tha se qeveria ka tentuar të rregullojë çmimet, mirëpo tha se Ligji ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Çka mundet qeveria të bëjë që të vijë deri te ulja e çmimeve, është të bëjë politika më të mira fiskale, reforma fiskale, ta përmirësojë ambientin e biznesit, gjë të cilën s’e kemi parë”.
“Dje e kemi parë ministrin e Financave, i cili na fliste për shushujzat. Ministri i Financave, i cili në fillim të mandatit, ia ka rritur pagën vetes. Ka pas një vendim të ish-kryeministrit Haradinaj i cili i ka rritur pagat atë kohë për kabinetin qeveritar. Me të ardhë në pushtet kryeministër zoti Kurti, në bashkëqeverisje në atë kohë me LDK-në, pas dy jave e ka shfuqizuar vendimin e zotit Haradinaj, dhe i ka ulur pagat. Dhe çka ka ndodhë? Kur ka ardhur në pushtet për të dytën herë, pikërisht në muajin e parë, ai i ngrit pagat.
“Hekuran Murati, që fliste dje për shushujzat, në fillim të mandatit e ka rritur pagën e vet dhe atë me 45%! E ka ngrit pagën e Kryeministrit, të ministrave, të zëvendësministrave, të këshilltarëve politikë, të asistentëve dhe të shoferëve – të komplet stafit. Dhe sot, kur jemi në fushatë elektorale, po thotë hajde t’i rriti pensionet për nga 20 për qind”, deklaroi Bajrami.
Deputetja e LDK-së tha se rritja e mëhershme e pensioneve ka ardhur si pasojë e vazhdimësisë që ka ndodhur në pandemi. “Me rastin e shpalljes së pandemisë, pensionistët e kanë marrë pensionin me rritje… nuk është se e ka rritur kjo qeveri, por i ka vazhduar masat që kanë qenë të qeverisë paraprake”, u shpreh Hykmete Bajrami në Klan Kosova.