Futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë e kanë zhvilluar të mërkurën paradite stërvitjen e radhës para përballjes me Çekinë, ndeshje kjo që i takon Ligës së Kombeve.
Në njoftimin e FSHF-së, thuhet se të gjithë lojtarët ishin të gatshëm dhe janë stërvitur intensivisht nën urdhrat e selektorit Sylvinho.
Po ashtu, është bërë e ditur se mesfushori Kristjan Asllani tashmë ka tejkaluar problemet muskulore dhe ka stërvitur normalisht me pjesën tjetër të ekipit.
Në këtë seancë stërvitore, ekipit i është bashkuar edhe Indrit Tuci, i cili është ftuar së fundmi për të zëvendësuar Myrto Uzunin e lënduar.
Të enjten paradite, Shqipëria e ka stërvitjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë dhe pastaj ekipi do të niset për në Pragë.
Ndeshja Çeki – Shqipëri zhvillohet të premten prej orës 20:45 në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve.
Tri ditë pas këtij dueli, Shqipëria luan në udhëtim edhe kundër Gjeorgjisë në kuadër të kampanjës së re të Ligës së Kombeve.