Një nga bosët më të fuqishëm të drogës në botë, Ismael “El Mayo” Zambada, lider i kartelit Sinaloa të Meksikës, është arrestuar nga agjentët federalë amerikanë në El Paso të Teksasit.
Ismael “El Mayo” Zambada, 76 vjeç, themeloi organizatën kriminale me Joaquin “El Chapo” Guzman, i cili aktualisht është i burgosur në SHBA. I arrestuar me Zambada të enjten ishte edhe djali i Guzman, Joaquin Guzman Lopez, tha departamenti i drejtësisë amerikane.
Në shkurt, Zambada u akuzua nga prokurorët amerikanë për një komplot për të prodhuar dhe shpërndarë fentanyl, një drogë më e fuqishme se heroina që është fajësuar për krizën e opioideve në SHBA.
Detajet e arrestimit të dy burrave mbeten të paqarta, por duket se ata fluturuan në Shtetet e Bashkuara.
Duke cituar zyrtarë meksikanë dhe amerikanë, Wall Street Journal raporton se Zambada u mashtrua për të hipur në aeroplan nga një anëtar i rangut të lartë të Sinaloa pas një operacioni njëmujor nga Hetimet e Sigurisë Kombëtare dhe FBI.
Gazeta shtoi se Zambada besonte se do të inspektonte aeroportet klandestine në Meksikë.
Zyrtarët thanë se Zambada ishte “joshur” në një avion privat nën “pretendime të rreme” nga Guzman Lopez, raporton New York Times.
Zambada besonte se avioni do të fluturonte në jug në Meksikë, por në vend të kësaj ai fluturoi në veri dhe u ul në El Paso, tha nje korrespondenti i Fox News duke cituar burime të zbatimit të ligjit.
Guzman Lopez iu dorëzua autoriteteve amerikane dhe u kthye kundër Zambada sepse ai “fajësoi Mayo për kapjen e babait të tij”, sipas raorteve te mediave.
Në një deklaratë me shkrim të enjten në mbrëmje, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland tha se të dy burrat udhëheqin “një nga organizatat më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës në botë”.
“Fentanyl është kërcënimi më vdekjeprurës i drogës me të cilin është përballur ndonjëherë vendi ynë, dhe Departamenti i Drejtësisë nuk do të pushojë derisa çdo lider i kartelit, anëtar dhe bashkëpunëtor përgjegjës për helmimin e komuniteteve tona të mbahet përgjegjës”, shtoi ai.
Prokurorët amerikanë thonë se karteli Sinaloa është furnizuesi më i madh i drogës në SHBA.
Autoritetet amerikane kanë vërejtur më parë se fentanili është shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët e moshës 18 deri në 45 vjeç/rtk