Vetëm disa ditë pasi dorëzoi mandatin e deputetit të Partisë Socialiste është vënë në pranga Jurgis Çyrbja. Këtij të fundit, një javë më parë, Prokuroria e Posaçme i komunikoi edhe marrjen si të pandehur për “shpërdorim detyre”.
Megjithatë, SPAK bën të ditur se Çyrbja akuzohet për kryerjen e veprave penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
“Komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masen e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Çyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje.”
Sa i përket akuzave për shpërdorim detyre, për ish-deputetin socialist ka dyshime për kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, qytet në të cilin ai u zgjodh edhe deputet.
Bëhet fjalë për një vepër penale që dyshohet të jetë kryer në vitin 2016. Në atë kohë, Çyrbja u mor në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi dyshohej se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës. /A2 Televizion