Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se kanë qenë të përfshirë në kultivimin e drogës që ishte kapur në një fshat të Klinës gjatë muajit gusht të këtij viti.
Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas hetimeve intensive dhe bashkëpunimit me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kanë arritur të arrestojnë dy persona të dyshuar, të cilët dyshohen në lidhje me kultivim të substancës narkotike që ishte kapur në një fshat të Klinës, në muajin gusht të këtij viti.
“Më 10 gusht të këtij viti, në një fshat të Klinës, lidhur me rastin që tashmë është koduar si “Mirusha”, ishin gjetur dhe asgjësuar mbi 900 bimë narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës i kishte shpallur në kërkim tre shtetas të Kosovës dhe dy shtetas të Shqipërisë si të dyshuar për plantacionin e kanabisit në Klinë.