Agjencia e Menaxhimit Emergjent së bashku me ministrinë e Punëve të Brendshme përmes një njoftimi. iu është drejtuar qytetarëve për aktivizim në parandalimin e zjarrvënieve në pyje dhe hapësira tjera, publike dhe private.
Kjo për faktin se në sezonën e verës supozohet se do të ketë temperatura të larta të ajrit të cilat sipas tyre, ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura.
AME-ja apelon te gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent pa pagesë 112 dhe 193, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon.
“Të nderuar qytetarë, meqenëse kemi hyrë në sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore e me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit, të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent pa pagesë 112 dhe 193, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore”, thuhet në njoftimin e AME-së.