Prokuroria Speciale ka konfirmuar se po interviston biznesmenin Ridvan Muharremi, emri i të cilit u bë i njohur për skandalin me rezerva shtetërore.
Sipas një njoftimi për media, thuhet se ai është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë dhe se i njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim.
“Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Ridvan Muharremi, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Muharremi ishte arrestuar para një viti, lidhur me aferën e rezervave shtetërore.